Secondary Adv

Varianti final i dividendit, ministri Malaj: Fitimet para 2027 tatohen me 8 për qind

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka sqaruar variantin përfundimtar të propozuar për tatimin mbi dividendin.

Nga 1 janari 2027, norma pritet të rritet nga 8 në 15 për qind, ndërsa vendimet për shpërndarjen e fitimeve të pashpërndara, të marra deri më 31 dhjetor 2026, do të tatohen me normën aktuale prej 8 për qind.


Nga 1 janari 2027, tatimi mbi dividendin për bizneset është propozuar të rritet nga 8 në 15 për qind. Gjatë seancës në Kuvend, ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaroi se për fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme do të zbatohet norma prej 8 për qind vetëm nëse vendimi për shpërndarjen e tyre merret deri më 31 dhjetor 2026.


“E shpjeguam edhe në Komisionin e Ekonomisë, dividendi hyn në fuqi më 1 janar 2027. Çdo vendim për shpërndarje të fitimeve të pashpërndara pas datës 1 janar 2027 do të trajtohet me normën e dividendit prej 15 për qind dhe çdo vendim i marrë deri më 31 dhjetor 2026 për shpërndarjen e fitimeve të pashpërndara do të trajtohet me normë dividendi prej 8 për qind”, sqaroi ministri Malaj në seancën e Kuvendit.


Për sipërmarrjet kishte paqartësi nëse fitimi i vitit 2026 dhe fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme do të tatoheshin me normën prej 8 për qind, duke qenë se ndryshimet ligjore parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.


Ndryshimet e qëndrimit për tatimin mbi dividendin

Fillimisht, Ministria e Financave sqaroi se çdo dividend i shpërndarë nga janari 2027 do të tatohej me 15 për qind, pavarësisht periudhës kur ishte gjeneruar fitimi.


Më pas, gjatë seancës në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se të gjitha fitimet e vitit 2026 do të tatoheshin me normën aktuale të dividendit prej 8 për qind, duke përcaktuar si afat për shpërndarjen e tyre datën 31 korrik 2027 dhe për pagesën e tatimit datën 20 gusht 2027.


Megjithatë, gjatë një tjetër seance të të njëjtit komision, ministri Malaj iu rikthye variantit fillestar të Ministrisë së Financave, sipas të cilit çdo fitim i shpërndarë pas 1 janarit 2027 do të tatohet me 15 për qind, pavarësisht vitit kur është realizuar.


Edhe pas kundërshtimeve të deputetëve, ministri Malaj deklaroi se “Nga 1 janari 2027 që hyn ligji në fuqi e në vazhdim çdo vendim dividendi që merret vendimi për tu shpërndarë, edhe nëse i përket viteve të mëparshme do të tatohet me 15 për qind”.


Sqarimi i fundit i ministrit në Kuvend konfirmon se kriteri për zbatimin e normës prej 8 për qind është marrja e vendimit për shpërndarjen e fitimeve të pashpërndara deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa vendimet e marra pas 1 janarit 2027 do t'i nënshtrohen normës së propozuar prej 15 për qind.


Kontabilistët kundërshtojnë rritjen e tatimit mbi dividendin

Rritja e normës së tatimit mbi dividendin është kundërshtuar nga përfaqësuesit e kontabilistëve dhe profesionistëve të lirë, të cilët kanë ngritur shqetësime për barrën fiskale dhe efektet e ndryshimeve të propozuara.


Kryetari i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, propozoi që norma e tatimit mbi dividendin të mbetet e pandryshuar deri në vitin 2029.


Dhamo argumentoi se rritja e normës në 15 për qind do të shtojë barrën fiskale për kompanitë vendase.

Ndërkohë, Aleanca e Profesionistëve të Lirë paralajmëroi se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse miratohen ndryshimet e propozuara në paketën fiskale, të cilat, sipas saj, kanë efekt prapaveprues dhe bien ndesh me Kushtetutën.


Gjatë diskutimeve të paketës fiskale në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Lulëzim Alushaj, konsulent bordi në Aleancën e Profesionistëve të Lirë, kundërshtoi dy propozime ligjore, atë për dividendin dhe atë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke argumentuar se parashikojnë zbatim retroaktiv.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat